Everton do të ishte i gatshëm ta shiste Moise Kean te PSG, nëse klubi francez dëshiron ta bëjë marrëveshjen e huazimit të përhershme. Kështu thotë trajneri i “Toffees”, Carlo Ancelotti. Kean u bashkua me parizienët për një huazim sezonal në tetor, pas zhgënjimit në Premier League, ku realizoi vetëm 4 gola në 37 paraqitje me Evertonin, ku u transferua për 30 milionë euro nga Juventusi, në gusht 2019.

20-vjeçari duket se ka rizbuluar formën e tij më të mirë në “Parc des Princes”, duke shënuar 10 gola në 17 ndeshje. Kjo ka ndezur thashethemet për një lëvizje të përhershme te kryeqytetasit francezë. Kur u pyet për mundësinë e lejimit të sulmuesit që të largohet nga “Goodison Park”, Ancelotti la të kuptohej se klubi ishte gati të bënte një marrëveshje:

“Së pari duhet të shohim dëshirën e lojtarit. Nëse ai dëshiron të qëndrojë te PSG, natyrisht të dyja klubet duhet të ulen në tryezë për të biseduar në lidhje me këtë. Ne jemi të hapur për të biseduar, nëse PSG dëshiron të nënshkruajë me Moise Kean, i cili po bën mirë në këtë moment”.