Me rritjen e temperaturave gjatë stinës së verës është mirë që të merren masa për t’i bërë ballë të nxehtit të madh që mund të ketë edhe pasoja fatale.

Më poshtë janë renditur 10 rregulla të thjeshta që duhen ndjekur për të luftuar të nxehtin e madh dhe për të limituar ekspozimin ndaj temperaturave të larta.

Rregulla që mund t’u shkojnë në ndihmë personave që janë më në rrezik, si personat e moshuar, me probleme shëndetësore, të sapolindur dhe fëmijë shumë të vegjël.

10 rregullat për të luftuar të nxehtin

1 – Të mos dilet në orët më të nxehta të ditës. Gjatë valës së nxehtësisë duhet shmangur ekspozimi në diell mes orëve 11 dhe 18.

2 – Të përmirësohet ambienti i shtëpisë dhe i punës. Të përdoret ajri i kondicionuar duke bërë kujdes që të mos përdoret një temperaturë shumë më e ulët se temperatura e jashtme. Duhen përdorur me kujdes edhe ventilatorët mekanikë që rrisin lëvizjen e ajrit, por nuk i ulin temperaturat.

3 – Të konsumohen shumë lëngje. Gjithashtu, të hahen fruta të freskëta për të luftuar efektet e të nxehtit.

4 – Të ulet konsumi i pijeve që kanë kafeinë. Gjithashtu, të shmanget edhe konsumimi i pijeve alkoolike.

5 – Të konsumohen vakte të lehta. Tretja është një punë e vërtetë për organizmin tonë dhe kjo rrit prodhimin e nxehtësisë të trupit.

6 – Të përdoren veshje të lehta. Këshillohen rroba prej pambuku ose me fibra natyrale dhe duhen shmangur veshjet me fibra sintetike.

Jashtë shtëpisë është e këshillueshme që të mbrohet koka me kapela të lehta dhe ngjyrë të hapur. Gjithashtu, duhen përdorur syzet e diellit për të shmangur ekspozimin ndaj rrezeve ultravjollcë.

7 – Çfarë duhet bërë në makinë? Të ventilohet mjeti para se të niset një udhëtim duke shmangur lëvizjet e mëdha të temperaturës. Dhe mundësisht të mos udhëtohet në orët më të nxehta të ditës.

8 – Të shmangen stërvitjet në orët më të nxehta. Gjithsesi, në rast se bëhet aktivitet fizik duhen konsumuar shumë lëngje.

9 –  T’u jepet ndihmë personave që janë më shumë në rrezik. T’i sinjalizohen shërbimeve shëndetësore situata të mundshme për të cilat mund të jetë e nevojshme ndërhyrja.

10 – T’i jepet shumë ujë i freskët kafshëve shtëpiake. Gjithashtu, kafshët duhen lënë në një zonë me hije.