Aktori i njohur shqiptar, Arben Derhemi ishte i ftuar së fundmi në emisionin ‘Dola te Ola’ në News 24, ku ka folur për serialin aq të dashur nga opinioni publik shqiptar, ‘Njerëz dhe Fate’. Tashmë është konfirmuar lajmi se ky serial do të rikthehet sërish në ekranin shqiptar, teksa producent do të jetë vetë Derhemi, i cili e ka cilësuar këtë projekt si sfidën e jetës së tjj.

Arbeni, i cili ka qenë një nga personazhet kryesorë të filmit, teksa edhe sot një pjesë e mirë e publikut e njeh si ‘Flori’ ka nënvizuar se ky projekt nuk do të kishte rinisur po mos të ishte ai. “Po mos ta merrja unë këtë hap nuk do të bëhej e mundur”- ka thënë Derhemi, i cili ka zbuluar edhe kastin e aktorëve.

Rreth 80% e tyre do të jenë të njëjtët, duke nisur nga vetë Derhemi, i cili pritet të rikthehet në ekran si Flori, po ashtu edhe Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Eni Jani, si edhe Pavlina Mani. Duke qenë se kjo e fundit jeton në Amerikë prej vitesh, Derhemi ka deklaruar se filmi do të ndërlidhet edhe me jetën e saj atje. “Do ta ndërlidhim me jetën e saj atje”, tha Arbeni, i cili nënvizoi se edhe Arta Muçaj, e cila ka luajtur rolin e Didit do të jetë pjesë e kastit të aktorëve.

Ndër të tjera, aktori i njohur zbuloi se seriali do gë ketë 15 seri të reja dhe do të xhirohet në Shqipëri e Kosovë. Është një staf prej 45 vetësh, të cilët për rreth dy muaj e gjysmë do të spostohen në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës”- ka thënë Derhemi në emisionin ‘Dola te Ola’ në News 24.