Numri i personave të infektuar me koronavirus nga fillimi i pandemisë ka shkuar në mbi 170 milionë. Lajmin e konfirmoi Universiteti amerikan “Johns Hopkins University”, që shtoi gjithashtu se numri i viktimave nga Covid-19 është mbi 3.6 milionë.

Vendi më i goditur nga pandemia vijon të jetë Amerika, me 33.2 milionë të infektuar dhe me gati 600 mijë viktima. Më pas vijnë India (27.9 milionë të infektuar e 326 mijë viktima) dhe Brazili (16.5 milionë të infektuar e 461 mijë viktima).

Duke folur për pandeminë, epidemiologu Anthony Fauci, tha: “Është herët për të thënë se e fituam këtë betejë me virusin, pasi kemi ende shumë punë përpara. Sa më shumë njerëz vaksinohen në një komunitet, aq më shumë i sigurt është ai”.

Fauci, një nga njerëzit pranë presidentit amerikan Joe Biden për pandeminë, më tej shtoi: “Për sa kohë që virusi është aktiv ai është i rrezikshëm. Gjithnjë ekziston mundësia që variantet e tij të jenë të rrezikshëm, që anashkalojnë edhe vaksinën”.