Ai duhet ta ndërpresë intervistën disa herë. Për një foto me një fans, për një telefonatë nga një gazetar. Gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë. Ish-portieri Artur Lekbello është ende tepër popullor, 31 vite pasi luajti me Partizanin e Tiranës kundër Feyenoord-it.

Ose ndoshta ai është më popullor se kurrë këto ditë. Sepse kush thotë Shqipëri dhe Feyenoord thotë natyrshëm finalja e “Conference League”, por edhe Artur Lekbello. Në vitin 1991 ai u shndërrua në një hero kulti nga Legjioni i Feyenoord-it dhe deri më sot emri i tij i bën të buzëqeshin mbështetësit më të vjetër e më të rinj të klubit holandez.

Performancë e paharrueshme
Dy ndeshjet e Kupës së Europës që Lekbello luajti me Partizanin e Tiranës kundër Feyenoord-it nuk u harruan për disa arsye. Një nga këto ishte performanca e tij e paharrueshme si portier.

Lekbello dukej si zëvendësuesi i rastësishëm i çdo skuadre amatore. Tullac, me mustaqe të mëdha dhe me pamje pak sportive. Ose siç thoshte komentatori Bert Nederlof në NOS atë kohë: “Në pasaportën e tij thuhet se është 33 vjeç, por duket dhjetë vjet më i madh”.

Por Lekbello arriti të befasojë. Në “De Kuip” ai i priste ose i nxirrte topat jashtë portës në një mënyrë ndonjëherë të çmendur. “Ai absolutisht nuk duket shumë sportiv, por ky njeri mund ta evitojë golin! Ai bën gjërat më të çmendura”, – tha komentatori i ndeshjes në atë kohë.

Goli i vetëm që Lekbello u desh të pësonte ishte ai fitues i Feynoord, shënuar nga Peter Bosz në minutën e 87-të. “Feyenoord do të vazhdojë, por heroi absolut i mbrëmjes është Artur Lekbello”, – përfundoi komentatori dhe pjesa tjetër e Roterdamit.

Shumë vëmendje mediatike
Në kopshtin e një hoteli luksoz në qendër të Tiranës, heroi tashmë 64-vjeçar është i mbështetur në heshtje dhe pi cigare. Ai vetë nuk flet anglisht, ndaj përkthen dhëndri i tij, i cili madje ka marrë pushim për shkak të gjithë vëmendjes mediatike.

Lekbellos, ende me mustaqe, i pëlqen ta kujtojë atë mbrëmje të bukur në “De Kuip”. Si kaloi i respektuar nga të gjithë në fushë për të shtrënguar duart më pas. Dhe si, nën duartrokitje të forta nga turma e Feyenoord, ai përfundimisht doli nga stadiumi krah për krah me portierin tjetër, Ed de Goeij.

Nxehtësia e Roterdamit
Kjo kishte të bënte edhe me çështjet periferike. Sepse edhe më shumë se performanca heroike e Lekbellos, ajo që ndodhi jashtë fushës nuk harrohet. Në ndeshjen e parë (0-0), Feyenoord sapo ishte njohur me një klub pa para dhe një vend ndoshta edhe më të varfër.

Lojtarët e Feyenoord ishin aq të tronditur nga rrethanat në Shqipëri, saqë folën për një “mësim të rëndësishëm jete” vite më vonë. Nuk kishte para, pothuajse asnjë ushqim dhe mijëra njerëz flinin në rrugë. Mënyra se si Feyenoord e trajtoi këtë më pas, duke përfshirë mbledhjen e veshjeve dhe ushqimeve për shqiptarët, ende e prek Lekbellon.

“Gjithmonë e kam kujtuar sesi sillej klubi. Feyenoord tregoi se ishim të dobishëm dhe na bënë të ndjenim ngrohtësinë e tyre. Ky emocion krijoi një lidhje që është ende e gjallë”, – thotë ish-portieri.

Madje, të martën erdhi edhe një ribashkim me John de Wolf, i cili në vitin 1991, me Feyenoord i bëri sytë katër në Tiranë. Lekbello ka marrë një fanellë të firmosur prej lojtarëve aktualë të Feyenoord-it nga duart e “mikut të tij të vjetër”.

Krenar për Shqipërinë
Ish-portieri është krenar që ia tregoi qytetin e tij popullit të Roterdamit sërish, pas 31 vitesh dhe një transformimi të plotë më vonë. Tirana është plot gjallëri dhe për herë të parë në histori, kaq shumë njerëz do ta vizitojnë qytetin në të njëjtën kohë. Në vitin 1991 njerëzit u përpoqën të largoheshin masivisht nga vendi, tani ata po dynden atje me mijëra.

“Ne jetonim nën një regjim totalitar atëherë, tani jetojmë në një demokraci, – thotë Lekbello. – Tani mund të fokusohemi tek e ardhmja këtu. Ndryshimet e shumta kanë qenë të mira, shqiptarët janë përsëri krenarë për vendin e tyre”.

Artur Lekbello nuk dëshiron të bërtasë me zë të lartë në kopshtin e hotel “Rogner”, sepse Shqipëria është mjaft e lidhur me Italinë, por ai bën tifo për Feyenoord fshehurazi gjatë finales. Klubi ku ai ruan kaq shumë kujtime të mrekullueshme ka një vend të veçantë në zemrën e tij.
Marrë nga “Nos.nl”