“Një nga ndryshimet më të mëdha në historinë e futbollit”. Konsiderata është bërë nga Pierluigi Collina, gjashtë vite pas përdorimit të VAR-it për herë të parë në një ndeshje ndërkombëtare, më 1 shtator 2016. “E mbaj mend shumë mirë atë ditë, – shpjegon presidenti i Komitetit të Arbitrave të FIFA-s.
– Një ditë historike. Asokohe nuk punoja zyrtarisht për FIFA-n, por isha në Bari me kolegë të tjerë, për të parë Italinë kundër Francës. Aty pashë video-ndihmësit e gjyqtarëve, që përdoreshin për herë të parë në një ndeshje ndërkombëtare. Të gjithë ishim shumë kureshtarë për të parë rezultatin, por edhe unë, duhet ta pranoj, isha pak nervoz. Ishte hera e parë në fund të fundit.
Më kujtohet se isha ulur në një furgon të vogël jashtë stadiumit të Barit me presidentin e ri të FIFA-s, Gianni Infantino. Aty ishte video-teknologjia dhe unë po i tregoja Gianni se si ishte VAR-i. Sa larg kemi shkuar që atëherë! Ishte 1 shtatori 2016 dhe në gjashtë vitet në vijim, – vazhdon Collina, – VAR nuk solli ‘fundin e futbollit’, siç raportonin disa në atë kohë, por përkundrazi tani është pjesë e strukturës së sportit tonë.
Imagjinojeni futbollin pa të. Më kujtohet hera e parë që diskutuam një teknologji të tillë, me qëllim parandalimin e vendimeve të gabuara në fushë. Ishim në një takim të IFAB në Belfast më 2014, ideja hidhej për herë të parë. Në atë kohë dukej si një ëndërr, por u deshën dy vite për të kaluar nga një ide në zbatimin e VAR-it në nivelin më të lartë, atë natë në Bari.
Në Kupën e Botës 2018 ishte një sukses i madh dhe përgjigja më e mirë e mundshme për ata që prisnin dështimin. Ata ishin të zhgënjyer. Gianni dhe unë kemi pasur gjithmonë besim të madh në faktin se VAR-i do të ishte një sukses. Tashmë e pranojnë të gjithë se ka sjellë më shumë drejtësi në ndeshjet e futbollit. Ne kishim të drejtë në këtë kuptim”.