Nikoll Prendi nuk është një emër i panjohur në Shaipëri. Edhe pse vetëm 9 vjeç, djaloshi nga Lezha ka qenë për disa muaj pjesë e ekranit shqiptar çdo javë, teksa ishte një nga fëmijët e programit “Në kurthin e Piter Pan”.

Me moshë është i vogël, por Nikoll nuk është një djalë i zakonshëm. Ai di përmendësh rreth 3000 vargje të shkruara nga At Gjergj Fishta.

Së fundmi, Nikoll ishte i ftuar në emisionin informativ “Breaking” në Top News ku tregoi se ai i ka mësuar këto vargje që kur ka qenë 5 vjeç, duke dëgjuar artistë në telefon.

“Vargjet e Fishtës kam nisur t’i dëgjoj që 5 vjeç. Duke dëgjuar shumë njerëz të artit në telefon duke recituar At Gjergj Fishtën. Kur u rrita që mësova alfabetin i thashë babit të më blejë libra dhe nisa ta lexoja dhe t’i mësoja”- tha Nikolli i vogël.

Më tej, i pyetur se sa kohë i duhet t’i mësojë vargjet përmendësh, ai nuk di ta shpjegojë pasi thotë që i fiksohen vetë.

Nuk ka një kohë të caktuar, 5 minuta, 10 minuta për të fiksuar vargjet e Fishtës. Nuk është me kohë, të fiksohet vetë. Nuk di ta shpjegoj, më fiksohet vetë”- tha Nikoll Prendi në emisionin informativ “Breaking” në Top News.