Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, zv. kryeministrja Belinda Balluku, u shpreh se diten e nesërme, qeveria do të prezantojë paketën e re për energjinë që do të aplikohet nga 1 tetori.

E pyetur në lidhje me deklaratën që Rama dha disa ditë më parë për ndërprerjeje të energjisë elektrike pas orës 22:00, Balluku sqaroi: “Nuk më rezulton që të ketë masa për ndërprerje të energjisë pas orës 22:00 sepse do të ishte masë emergjence shumë e madhe.

Nuk ndodh kjo. Pas orës 22:00 kërkohet ndërprerja e ndriçimit publik.  Gjermania e ka aplikuar këtë dhe do të thoja që aplikimi i ndriçimit publik i njësive tregtare dhe gjithçkaje tjetër ndodh nga ora 4 pasdite deri në orën 10 të darkës. Vetëm ai interval lejohet të ketë drita të ndezura.

Flasim për ambiente publike. Pas atij momenti fiken dritat deri të nesërmen në orën 4 pasdite. E ka nisur Gjermania, por e aplikojnë edhe shtete të tjera. Është pjesë e paketës së kursimit të energjisë.

Nesër me kryeministrin do të bëjmë prezantimin e paketës së energjisë përsa i përket edhe fashës 800 KWH që do të nisë nga 1 tetori dhe disa masa drastike që do të marrim në vazhdim”, tha Balluku mes te tjerash.