Lajmi që do lexoni më poshtë do ju duket i pabesueshëm, por ju sugjerojmë të na besoni, sepse është fakt. Sado e vështirë të kuptohet që në 2022 të ketë të tilla ngjarje, është e vërtetë.

Në juglindje të vendit është një bashki, e cila nuk ka asnjë farmaci. Nuk ka rëndësi nëse banorët kanë apo jo nevoja shëndetësore, thjesht nuk ka asnjë farmaci. Eshtë fakt!

E kemi fjalën për Bashkinë Pustec, që është i vetmi vend ku banorët nuk kanë se ku të blejnë as medikamentet bazë. “Nuk ka farmaci prej shumë vitesh”, thonë banorët.

Kur kanë probleme shëndetësore, ata i drejtohen vetë Korçës dhe Pogradecit. Ndodh që porosinë ua sjell një mjek vendas. “Paguajmë doktorin dhe medikamentin na e sjell një doktor. Ne pensionistë jemi dhe nuk kemi takat”, thonë ata.

Banorët thonë se farmacia është e domosdoshme dhe e kërkojnë me ngulm, por shteti deri tani nuk ka menduar për ndonjë zgjidhje.

“Sipas nesh, është turp i madh që gjithë kjo zonë këtu të shkojmë në Korçë për një ilaç. Mjeku nuk ka faj. Farmacia duhet të jetë e hapur dhe të ketë farmacistë brenda”, shprehen banorët.