Zbulimet e një negociimi me BC Partners për shitjen e bujshme të Interit janë konfirmuar në qarqet financiare, megjithëse ende në rrugë jozyrtare. Zhang në fakt kishte hedhur poshtë thashethemet për këtë, por nuk e mohoi artikullin e “Sole-24Ore”, që raportonte për takime eksploruese (me video) midis Suning, BC Partners dhe fondit LionRock. Në orët e fundit, më shumë se një konfirmim ka mbërritur. Sipas thashethemeve të mirë-akredituara, blerësit e mundshëm duken të orientuar drejt vlerësimit të Interit midis 400 dhe 500 milionë euro, përveç borxhit neto që do të ishte rreth 350-400 milionë euro.

Është mirë të pastrohet fusha e hipotezave joreale: negociatat me bashkëbiseduesit e këtij kalibri nuk mund të kufizohen në prapaskenë. BC Partners është një nga investitorët më të njohur financiar europian, që ndjek transaksione prej mbi 300 milionë dhe deklaron (gjithashtu në faqen e saj të internetit) interesin e tij për të marrë kontrollin e kompanive, për të zgjedhur menaxhimin e tyre dhe për të drejtuar strategjitë e tyre.

Në të kaluarën, ajo ka mbajtur kompani të ndryshme në portofolin e vet për 5-7 vite dhe (si të gjitha fondet e kapitalit privat) ka një interes në marrjen përsipër të kompanive me rezultate më të dobëta, riorganizimin e tyre, përmirësimin e performancës së tyre dhe më pas rishitjen me një kthim të investimit të paktën 10-15% në vit. Kjo është ekuivalente me të paktën dyfishimin e vlerës së saj në 5 vite. Nëse këto kushte nuk plotësohen, investimi nuk përfundon. Cilado qoftë vlera që i atribuohet Interit në një blerje, plani duhet të jetë dyfishimi i saj.