Bosi i “Pharma bro”, shqiptari më i urryer në SHBA, Martin Shkreli u lirua nga një burg federal në Pensilvani të mërkurën dhe është vendosur tashmë në një burg të sigurisë së ulët, në një banesë ish-të burgosurish në gjendje gjysëm-lirie për ta përfunduar aty pjesën tjetër të dënimit të tij penal.

“Dalja nga burgu i vërtetë është më e lehtë se sa të dalësh nga burgu i Twitter”, – shkroi Shkreli, 39 vjeç, në faqen e tij në Facebook, duke iu referuar pezullimit të tij nga Twitter, që daton me ngacmimin ndaj një gazetareje më 2017.

Në një rikthim në ditët kur Shkreli ishte një nga “trollët” më të shquar në Twitter, një mik i tij postoi një foto të tyre së bashku duke buzëqeshur në një makinë pas lirimit të shqiptarit me origjinë nga Shkodra, me mbishkrimin: “E mora këtë djalë duke bërë autostop. Thotë se është i famshëm”.

Miku i tij, Edmund Sullivan, kishte veshur një bluzë me një foto të Shkrelit duke buzëqeshur gjatë dëshmisë para Kongresit, me fjalët “Liro Shkrelin” poshtë saj. Sullivan, i cili nuk iu përgjigj një kërkese për koment, është ish-anëtar i bordit të një kompanie ilaçesh të themeluar nga Shkreli, “Retrophin”, e cila tani njihet si “Travere Therapeutics”.

Shkreli, një banor i qytetit të Nju Jorkut, i cili u dënua për mashtrim të letrave me vlerë më 2017, e ka përfituar këtë lehtësim të vuajtjes së dënimit nga sjellja e mirë në burg. Ai u dënua me 7 vite burg në mars 2018.

Një gjykatës federal revokoi garancinë e tij të lirimit në shtator 2017, dy muaj pas dënimit, pasi u ofroi ndjekësve të Facebook-ut një shpërblim prej 5000 dollarësh për mostrat e flokëve të Hillary Clinton.

Avokati i Shkrelit, Benjamin Brafman, tha të mërkurën: “Kam kënaqësinë të raportoj se Martin Shkreli është liruar nga burgu i Allenwood dhe është transferuar në burg të sigurisë së ulët, pasi kishte përfunduar të gjitha programet që lejuan shkurtimin e dënimit të tij me burg. Unë e kam inkurajuar z. Shkreli që të mos bëjë asnjë deklaratë të mëtejshme. As ai dhe as unë si avokat nuk do të kemi ndonjë koment shtesë në këtë moment”.

Shkreli fitoi famë kombëtare në vitin 2015 kur kompania e tij e dytë farmaceutike “Vyera” rriti çmimin e ilaçit shpëtimtar “Daraprim” me më shumë se 4000% brenda natës. Shkreli fitoi nofkën “Pharma bro” për rritjen e ndyrë të çmimit të ilaçit jetik, për fyerjen e njerëzve në Twitter që stigmatizonin sjelljen e tij dhe për blerjen e një albumi të veçantë të “Ëu-Tang Clan” për 2 milionë dollarë.

Sidoqoftë, dënimi penal nuk ka lidhje me rritjen e çmimit të atij ilaçi kundër parazitëve. Shkreli u arrestua në fund të vitit 2015 me akuzat për mashtrimin e investitorëve në dy fonde. Në janar, një gjykatës federal e pezulloi Shkrelin përgjithmonë nga industria farmaceutike dhe e urdhëroi të paguante gati 25 milionë dollarë gjoba civile për përfshirjen në sjellje antikonkurruese, për të mbrojtur fitimet e “Vyera” nga ilaçi Daraprim.