Shkrimtarja Flutura Açka foli pa doreza gjatë telefonatës së saj në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan.  Favoret apo nderet janë pjesë e së përditshmes, por a mund të shkojë njeriu aq larg sa të thyejë edhe ligjin për të ndihmuar dikë?

Vetë shkrimtarja thotë se i ka evituar këto biseda sepse e ka bërë të qartë qëndrimin e saj që në fillim. Megjithatë, kjo nuk e ka lënë jashtë rasteve absurde kur është përballur me kërkesa të tilla.

Aldo: Në rrethin tënd, ka persona që nuk  të flasin vetëm sepse ti s’i ke bërë nja favor,  një nder?

Flutura Açka: Jo, iu është krijuar përshtypja edhe gjatë fushatës që kam pasur, kështu ka qenë, kështu është ndërtuar, ju thashë është mentalitet, kështu është ndërtuar.

Unë mbaj mend edhe gjatë fushatës, vinin njerëz më thonin mua të ndërhyja në mësues, profesorë për të marrë notën. Kjo ishte një gjë absurde, thosha po si mund të bëjmë Shqipërinë ne kur ne duhet të ndërhyjmë te mësuesit, te profesorët?

Si  mund ta bëj unë e para të ndërhyj te profesori dhe si mund të jem unë shembull kur vetë ky,  militanti ose njeriu im i afërt, si do të krijojë për mua ky një lloj bindje që unë mund të bëj ndonjë gjë, ndonjë ndryshim nëse unë e para e prish, e shkatërroj këtë terren delikat që duhet të ndërtoj. Kështu që kam qenë pothuajse e prerë në këtë pikë, jo të ndërhyj në provime, por edhe në gjëra që nuk dëmtojnë. Jo, ndoshta është natyra ime, ndoshta kjo nuk më bën edhe aq shumë shqiptare.

Aldo: A i ke marrë përsipër kostot e gjithë kësaj?

Flutura Açka: I kam marrë përsipër kostot sepse identiteti im personal është shumë më i shenjtë se çdo lloj… edhe shiko, nuk kam rënë kurrë në të tilla gracka, kështu që nuk kam pasur asnjë shqetësim, asnjë vuajtje në  këtë pikë sepse që në krye  e kam vendosur, por kam dëgjuar shumë e dëgjoj shumë dhe me keqardhje të madhe e them që ne kemi ndërtuar një shtet me shtylla kaq të brishta dhe që na shemben çdo ditë përpara syve, e kemi parë, nepotizmi. Vetë shteti, mënyra nepotike në të cilën është ndërtuar shteti, është pikërisht ky mentalitet që ka ndërtuar shtetin tonë.

Aldo: Kur shet votën dymijë lekë ç’pret?

Flutura Açka: Janë prishur disa balanca që kanë lidhje me principet edhe humane, nuk po flas për principe politike, nuk po flas për ato sociale, po flas për ato personale, të njeriut, janë tkurrur, janë rrënuar principet bazë njerëzore./TV Klan