Incidenti absurd ndodhi të hënën e Pashkëve në liqenin Braies, ai i serialit “Një hap nga parajsa”. Protagonistë ishin një çift i ri që jeton në zonën e Milanos me një fëmijë vetëm 4 muajsh.

Ata kishin filluar të ecnin mbi akull deri në pesëdhjetë metra larg bregut, kur masa e ngrirë u thye dhe ata ranë në ujë. Një 44-vjeçar shqiptar që ka parë skenën iu ka shkuar në ndihmë, por edhe ai ka rënë në ujë, duke tentuar t’i shpëtojë.

Gjysmë ore frikë. Në video shfaqen momente paniku, me helikopterët e shpëtimit që tentojnë evakuimin e të rrezikuarve nga lart dhe zjarrfikësit nga toka. Të katër u shpëtuan, por ishin në hipotermi të rëndë, ndaj u transportuan në spital.

Edhe foshnja katër muajshe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I hutuar, kryetari i bashkisë së Braies, Friedrich Mittermair tha: “Nuk di më çfarë të bëj. Kam vendosur tabela kudo përgjatë bregut për të paralajmëruar rrezikun.

Është njësoj si të këshillosh dikë para një zjarri të madh që të mos i futë duart në zjarr. Kam urdhëruar edhe ndalimin e ecjes në shëtitoren përreth liqenit, sepse ka shumë seksione të ngrira.

Është një peizazh për kartolinë, por rreziku është aty dhe nën këmbët tuaja. Policia dhe karabinierët kontrollojnë, por nuk mund të bëjnë shumë në krahasim me turmat e turistëve”.