Aktivistja e njohur suedeze Greta Thunberg, vetëm 18 vjeçe, ka vendosur të denoncojë pabarazinë që po bëhet sot në gjithë botën me shpërndarjen e vaksinave anti-Covid. Në formë proteste ajo ka vendosur të dhurojë 100 mijë euro për programin Covax të vaksinimit, fond që do të shkojë për dhurimin e vaksinave për vendet e varfra.

Fondacioni që mban emrin e vetë aktivistes ka vendosur të transferojë këtë shumë parash, që do të përdoret për blerjen e vaksinave për vendet që kanë më shumë nevojë në gjithë botën.

Sot, 1 në 4 veta në vendet e mëdha ka mundësi aksesi në përdorimin e vaksinës anti-Covid. Ndërsa në vendet e varfra kjo mundësi është 1 në 500 vetë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë për t’u përballur me këtë tragjedi, që tregon për pabarazinë në shpërndarjen e vaksinave. Kemi mjetet dhe mundësi për ta korrigjuar këtë padrejtësi, duke ndihmuar ato vende që janë më vulnerabël”, tha Thunberg.