Gerard Depardieu, një nga aktorët më të famshëm francezë, është zyrtarisht nën hetim, i akuzuar për përdhunim dhe dhunë seksuale. Sipas akuzës, aktori i ka kryer këto vepra në vitin 2018 në dëm të një aktoreje të re. Vetë Depardieu i ka mohuar këto akuza, duke thënë se është i pafajshëm.

Viktima e ka denoncuar aktorin në xhandarmari që në fund të gushtit të vitit 2018. Ajo e ka akuzuar për përdhunim disa ditë më parë, gjatë kohës që ishte duke bërë disa xhirime në shtëpinë e Depardieu. Fillimisht hetimet u arkivuan nga prokuroria, por tashmë viktima arriti ta rihapë çështjen.

Ngjarja – Në gusht 2018, një aktore 20-vjeçare kishte denoncuar në xhandarmarinë e Lambesc (Provenca) se ishte viktime e dhunës nga ana e aktorit Gerard Depardieu në shtëpinë e këtij të fundit. Prokuroria e Aix-en-Provence kishte hapur një hetim, që më pas i kaloi kolegëve parizienë. Ky hetim ndaj 71-vjeçarit u mbyll në vitin 2019 për mungesë provash, por tashmë është rihapur.