Aktorja e njohur hollivudiane Demi Moore dhe i fejuari i saj i ri tashmë nuk fshihen më. Moore ka publikuar disa foto në rrjetet sociale së bashku me zviceranin Daniel Humm, shefi i famshëm i kuzhinës në restorantin “Eleven Madison Park” në Nju Jork.

Ata të dy kanë 13 vite diferencë, por kjo duket se nuk e pengon dashurinë mes tyre. Moore 59 vjeçe dhe shefi i kuzhninës 46-vjeçar janë të bashkuar nga pasioni për ushqimin vegan. Prej vitesh aktorja e famshme ndjek një dietë vegane krudo, ndërsa Humm ka eliminuar nga lokali i tij i famshëm të gjitha produket me origjinë shtazore.

Gjithsesi, pasionet e dashurisë së aktores së njohur gjithnjë kanë bërë lajm e jo vetëm. Kur ishte 18 vjeçe ajo është martuar me muzikantin Freddy Moore, me të cilin u divorcua në vitin 1985, por mbajti mbiemrin e tij. Nga viti 1987 deri në vitin 2000 ka qenë e martuar me aktorin Bruce Willis, me të cilin ka 3 vajza.

Në vitin 2005 është martuar me aktorin Ashton Kucher. Çifti vendosi të ndahej në vitin 2011, por divorci zyrtar ka ardhur dy vite më vonë (2013). Ndërsa tani, në moshën 59-vjeçare, Demi Moore ka gjetur pasionin e ri, dashurinë me shefin e famshëm të kuzhinës Daniel Humm.