David Alaba është i vendosur që pasiguria për të ardhmen e tij te Bayern Munich të mos ndikojë në paraqitjet e këtij sezoni. Austriaku del jashtë kontratës në qershor dhe pritet të largohet nga “Allianz Arena” falas. Humbja 3-2 ndaj Borussia Monchengladbach, të premten e kaluar, nxiti kritika nga ekspertët për të, duke e akuzuar se e ka mendjen tek e ardhmja.

“Jo, absolutisht jo, – tha Alaba për “Bild”, kur u pyet nëse rënia e formës lidhet me situatën e tij te Bayerni. – Personalisht, nuk mendoj se gjërat po shkojnë aq keq për mua këtë sezon. Nuk e kam ndryshuar stilin tim të lojës në krahasim me vitin e kaluar. Unë e kam thënë shumë herë: e vetmja gjë që vlen është një sezon tjetër i suksesshëm me Bayernin. Ne akoma e kryesojmë renditjen dhe jam i sigurt që do të fitojmë ndeshjet e ardhshme. Në fund të fundit, do ta mbyllim të parët kampionatin”.