Mbrëmjen e sotme do të mbahet gjysmëfinalja e dytë e festivalit të këngës ‘Eurovision’ në qytetin e Liverpool të Britanisë së Madhe. Sakaq, kjo është edhe nata kur do të këndojë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Albina Kelmendi së bashku me familjen e saj.
Kënga “Duje” është një nga këngët më të komentuara, që në momentin që u prezantua në festival, pasi erdhi në një mënyrë të ndryshme edhe për numrin e pjesëmarrësve në këtë projekt. Përveç saj, i shumë komentuar ka qenë edhe teksti i këngës, disa e kanë vlerësuar dhe të tjerë e kanë kritikuar me nota të ashpra.
Poeti Agim Doçi tha në emisionin ‘GoodMorning Albanians’ në televizionin ‘Euronews Albania’ se kjo këngë është një himn dhe se Albina Kelmendi dhe familja e saj do shkojnë jo vetëm në finale por do të arrijnë edhe rezultatin më të lartë të Shqipërisë.
“Në gjykimin tim kjo këngë është himn, në kohën që jetojmë kur familja nuk po funksionon mjaftueshëm që të mbajë të lidhur njerëzit. Për mendimin tim, kjo këngë jo vetëm që do jetë në finale po do marrë rezultatin më të mirë nga të gjithë pjesëmarrësit shqiptar në Eurosong”, tha Doçi.