Një infermiere 52-vjeçare nga Prishtina ka përjetuar ndjenjën më të bukur në botë duke u bërë nënë për herë të parë. Ajo ka sjellë në jetë një vajzë, të cilën e ka quajtur Alea.

Ky lajm kaq i bukur është bërë me dije nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila përmes një mesazhi në rrjete sociale shkruan se ardhja e vogëlushes ka gëzuar jo vetëm nënën e saj, por edhe të gjithë stafin e terapisë intensive në maternitetin “Koço Glozheni”.

“52-vjeçarja, infermiere në Prishtinë bëhet nënë për herë të parë në Maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë. Alea e vogël e ka fituar betejën për jetën, duke i sjellë një gëzim të papërshkruar nënës së saj dhe të gjithë stafit të terapisë intensive, që bëjnë një punë fantastike me të porsalindurit, duke shpëtuar jetë”, shkruan ministrja.

Ndërkaq, në videon e postuar nga znj. Manastirliu shfaqet edhe nëna më e re, e cila mban në krah të voglën Alea dhe shprehet shumë e lumtur.

“Mama për herë të parë. Ndihem shumë e lumtur, jashtë mase. Nuk kam fjalë të përshkruaj, aq e lumtur që jam. Rruga ishte e gjatë. Eksperienca ishte shumë e mirë. Jam e kënaqur nga stafi si mjekësor, si stafi infermier, jam shumë shumë e kënaqur. Ka qenë një sfidë e madhe edhe për mua edhe për bebin, por më në fund ja dolëm”, shprehet 52-vjeçarja.