Java e pestë e kampionatit italian do të jetë e para me merkaton e mbyllur. Juventusin e pret Fiorentina në “Franchi”. Një transfertë e vështirë, gjë për të cilën Allegri paralajmëroi në konferencën për shtyp: “Ndeshja e nesërme është e vështirë, të luash kundër Fiorentinës është gjithmonë e komplikuar. Le të mendojmë fillimisht për këtë dhe më pas për Salernitanën. Është e rëndësishme që ne të arrijmë rezultat pozitiv.
Ardhja e Paredes në orët e fundit të merkatos? Më duhet ende të vendos për formacionin, ndoshta ju e dini. Herë pas here lexoj formacionet dhe shoh që ju e merrni me mend. Është e vështirë të japësh nota për merkaton, por mund të them se klubi ka bërë shumë mirë si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Lojtarët që donim dhe të rinjtë mbetën ashtu siç ishte në objektivat e klubit.
Pse u largua Zakaria? Ai u ndje pak i tërhequr dhe për këtë arsye vendosi të shkonte te Chelsea me entuziazëm. Unë i uroj fat të madh atij dhe Arthurit. Janë dy lojtarë shumë të mirë, por ne kemi bërë disa zgjedhje. Ata janë të lumtur dhe ne e kemi kompletuar skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani duhet të mendojmë për rikuperimin e Pogba dhe Chiesa.
Nesër do të ketë disa ndryshime, edhe sepse pas më pak se 72 orësh do të luajmë në Paris kundër PSG-së. Bonucci është mirë, u stërvit me ekipin dhe do të mendohem nëse do të luajë në Firence apo në Ligën e Kampionëve.
Di Maria? Kushtet e tij nuk janë optimale, por ai mund të luajë. Do të shohim nëse do të jetë 45 apo 60 minuta në fushë. Rabiot nuk do të jetë nesër, sepse ka një hematomë, që nuk e lejon të përkulë kofshën.
A jam penduar për Dybala? Jo, nuk duhet të ketë keqardhje. Jam i lumtur për të, por më vjen keq që barazova ndaj Romës. I kemi lënë rrugës katër pikë, por kemi shumë të tilla përpara, na duhet vazhdimësia e rezultateve, sepse fitorja e kampionatit kalon nëpër soliditetin e skuadrës. Juventusi po rritet”.