Sinjali i parë i fortë i rikthimit të botës në normalitet pas pandemisë vjen nga Teksasi. Dje, një ndeshje e Major League në bejzboll, mes ekipit vendës Texas Rangers dhe atij mik të Toronto Blue Jays, u zhvillua me publik. Kjo ishte ndeshja e parë pas një viti që zhvillohet me publik në stadium.

Stadiumi “Globe Life Field” ishte në kapacitet të plotë teksa mirëpriti mbi 40 mijë spektatorë. Mes tyre edhe një grup i madh mjekësh dhe infermierësh që gjatë vitit të fundit kanë qenë në vijën e parë të betejës ndaj koronavirus.

Skuadra teksane ka shfrytëzuar miratimin që guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, dha për të zhvilluar të gjitha eventet sportive pa limit spektatorësh. Kushti i vetëm ishte që tifozët të mbanin maska. Jo të gjithë e respektuan këtë rregull, por ndeshja u zhvillua normalisht. Toronto fitoi 6-2.