Real Madridi dhe Real Betis, dy skuadrat e vetme që kanë fituar të tria ndeshjet e La Liga-s të luajtura deri më sot, në sezonin 2022-2023, do të takohen të shtunën në orën 16:15 në “Santiago Bernabéu”. Trajneri i kampionit aktual të Spanjës, Carlo Ancelotti, analizoi duelin që e pret. Ai foli edhe për merkaton e përfunduar së fundi dhe objektivat e “Los Blancos”, të cilat trajneri i konsideron të mbuluara me ardhjet e Rüdiger dhe Tchouaméni.

Ndjenjat, para kthimit në shtëpi – “Ndjenja janë të mira. Ne kemi pasur momente të mira në ‘Bernabeu’ sezonin e kaluar dhe shpresojmë që të jetë e njëjta këtë sezon. Është një lojë e vështirë kundër një kundërshtari që di të konkurrojë”.

Ndeshjet në shtëpi – “Ideja jonë nuk ndryshon, duam të ruajmë të njëjtin identitet. Në shtëpi duam të jemi më intensivë dhe agresivë, por identiteti ynë nuk ndryshon. Tani fillon sezoni, sepse do të luajmë çdo tri ditë”.

Favoritët – “Çdo sezon ka dinamikën e tij, unë mendoj se La Liga do të jetë më konkurruese. Liga e Kampionëve nuk ka ende një favorit, varet nga ajo që ndodh në mars ose prill. Kemi më pak dyshime se vitin e kaluar në këtë pikë. Jemi të mbuluar shumë mirë në të gjitha pozicionet, do të garojmë dhe luftojmë”.

Fuqia e Premier League – “Nuk e di se kur do të ndalojë kjo. Objektivi për të gjitha ligat, jo vetëm atë spanjolle, është t’i afrohemi Anglisë duke përmirësuar cilësinë e lojës, atmosferën, stadiumet e reja, pa dhunë. Premier League ka bërë një rrugë të gjatë me shitjen e të drejtave televizive, ka mposhtur ligat e tjera, ka një atmosferë të mirë, pa dhunë. Duhet të përmirësohemi në këto aspekte mbi të gjitha”.

Hazard – “Po punon mirë. Tri ndeshje nuk janë të mjaftueshme për një vlerësim. Jam i sigurt se ai do të luajë një rol të rëndësishëm këtë sezon”.

Roli i Tchouameni – “Për nga karakteristikat është lojtari më i përshtatshëm për atë pozicion, por Camavinga ka luajtur atje dhe Kroos është shumë i besueshëm. Varet se si duam të luajmë. Nëse duam më shumë kontroll, Kroos është tejet i saktë në pasime. Nëse kemi nevojë për më shumë energji, Tchouaméni dhe Camavinga mund ta bëjnë më mirë. Aurelien është një mesfushor i shkëlqyer, shumë i fokusuar në punën e tij. Ai ka qenë një nënshkrim i jashtëzakonshëm për klubin. Reaprti ynë i mesfushës është shumë i fortë, sepse kemi gjithçka: forcë, energji, cilësi, pozicionim”.

Merkato – “Nuk kemi menduar kurrë për të nënshkruar me më shumë lojtarë. Në largime vlerësuam situatat e Casemiro apo Asensio, por jam i lumtur, sepse ata kanë qëndruar dhe i kanë përmbushur gjithmonë pritshmëritë. Ka shumë lojtarë me vetëm një vit kontratë, por ky nuk është problem”.

Asensio – “Ne e njohim atë dhe ai na njeh ne, është i lumtur që qëndron këtu. Ai do të ketë mundësitë e tij”.