Pelerina të zeza dhe dhëmbët e qenit të mprehtë: rekordi botëror i njerëzve të veshur si vampirë është vendosur mbrëmjen e së enjtes në Whitby, qytet i vogël verilindor në Angli, me rastin e 125-vjetorit të publikimit të romanit ‘Dracula’, të shkrimtarit irlandez Bram Stoker.

“Sapo kemi thyer rekordin Guinness të grumbullimit më të madh të personave të veshur si vampir: 1.369!”, ka shkruar në Twitter English Heritage, kompania bamirëse që menaxhon 400 monumente historike në vend duke përfshirë edhe  manastirin e Whitby në rrënoja tani, ku kanë lënë takim ‘vampirët”.

Kodi i veshjes ishte vetëm një: këpucë të zeza, pantallona ose veshje e zezë, pelerinë e zezë dhe dhëmbët e qenit të mprehtë. Kështu, fansat anglezë të vampirit më të famshëm në botë, kanë thyer rekordin e vendosur në Doswell, Virginia (SHBA), ku janë grumbulluar 1.039 persona të veshur si Drakula.

Romani i Stoker, që rrëfen historinë e një konti të etur për gjak, është publikuar për herën e parë në 1897-ën dhe nga ajo kohë kanë qenë të shumta përshtatjet, veçanërisht kinematografike.

Whitby, qytet port në veri të Yorkshire, ku Stoker ka qenë në 1890-ën, ka qenë frymëzimi për kornizën në të cilën ai ka përfshirë romanin e tij gotik.