Duke nisur nga java e ardhshme, në Britaninë e Madhe do të aplikohen masa më të rrepta në lidhje me betejën ndaj pandemisë Covid-19. Këto masa vlejnë për personat që do të vijnë në Angli nga 33 vendet e lejuara. Do të ketë gjoba të larta deri në burgim për personat që i shkelin ato, lajm që e konfirmoi ministri Matt Hancock.

Të gjithë personat do të akomodohen në hotele të përcaktuara, ku do të qëndrojnë në karantinë. Ata do t’u nënshtrohen dy testeve para se të përfundojnë izolimin dhe duhet të dalin negativë në të dyja testet. Ata që anashkalojnë testin një herë do të gjobiten me 1 mijë stërlina, ndërsa në rast përsëritje gjoba do të jetë 2 mijë stërlina.

Ata që mendojnë se mund të anashkalojnë rregullat, duke mos hyrë në karantinë do të gjobiten deri në 10 mijë stërlina. Ata që japin të dhëna false apo nuk deklarojnë se vijnë nga vendet e konsideruara “zonë e kuqe” rrezikojnë deri në 10 vite burg.

Qeveria britanike ka nënshkruar një marrëveshje me 16 hotele, me 4600 dhoma, ku do të akomodohen ata që hyjnë në Angli. Personat do të qëndrojnë në dhomat e tyre dhe nuk do të takohen me personat e dhomave të tjera.

Udhëtarët, përveçse do të paraqesin një test që rezultojnë negativë në momentin që mbërrijnë do të kryejnë dy teste PCR (dita e dytë dhe e tetë pas mbërritjes). Në rast se dalin pozitivë do të qëndrojnë edhe 10 ditë të tjera në karantinë.