Princi Philip, bashkëshorti i mbretëreshës Elizabetë, është shtruar prej dy ditësh në spital. Lajmin e konfirmoi “Buckingham Palace”, që saktësoi se problemi shëndetësor nuk ka të bëjë me pandeminë Covid-19 (ka kryer vaksinën anti-Covid).

Princi Philip, tashmë 99 vjeç, do të qëndrojë në spital nën mbikqyrjen e mjekëve për disa ditë, ndërkohë që ende nuk dihet problemi i tij shëndetësor.

Princi Philip, Duka i Edinburgut, është shtruar në spitalin “King Edward VII” të Londrës, si një masë paraprake për shkak të disa shqetësimeve me shëndetin e tij. Ka qenë kjo këshilla e mjekut të tij personal pas një problemi shëndetësor”, thuhet në deklaratën e Buckingham Palace.

Sipas mediave britanike, Princi mbërriti në spital me makinën e tij dhe jo me autoambulancë, ka ecur vetë dhe jo i shoqëruar, ndërsa Mbretëresha Elizabetë ndodhet ende në kështjellën e “Winsdor”. Princi do të mbushë 100 vjeç më 10 qershor të këtij viti.