Mjeku i njohur infeksionist shqiptar, Tritan Kalo, ka bërë një reagim të fortë sot përmes rrjeteve sociale. Në fakt, ai ka dhënë alarmim si intelektual i vërtetë, i pandikuar nga politika, por që i dhemb shpopullimi i vendit tonë. Në titullin “DILEMA EKZISTENCIALISTE”, profesori i njohur shkruan:

“Bjerrja e ndjenjës kombëtare, shpopullimi e varfërimi progresiv po tkurrin ekzistencën dhe po mundësojnë edhe më shumë ç’kombëtarizimin tonë. Militantizmi i thuktë, si majtas edhe djathtas spektrit politik, po sjell dita-ditës verbëri të “il poppolo Albanese” ndaj keqmenaxhimit korruptiv të vendit, si dhe po zgjat në pafundësi agoninë tonë të tranzicionit demon-kratik.

Vështirë të kuptohen dhe zgjidhen problemet socio-ekonomiko-politike të vendit nga lartësitë në bordin e “Lasgushit”, por nga observimi tokësor i problematikave të të përditshmes së jetës sonë, dëgjimi direkt i shqetsimeve të popullit, konsultimi me specialistët e çdo sektori dhe jo me “jesmenët” partiakë.

NUK ecet kurrë përpara me militantizëm, kanabizim, korrupsion, nepotizëm, dijedhënie e dijemarje mediokre, “ish-pronarizëm”, etj. ALBANOFOBIA është sa e brendëshme dhe e jashtme, ndaj dalja nga kjo grackë defaktorizuese, ç’mbrothësuese dhe ç’kombëtarizuese realizohet vetëm e vetëm me një RIZGJIM të NDJENJËS sonë KOMBËTARE.

Realizohet me LARGIMIN NGA SKENA POLITIKE të kësaj klase/kaste/glase politike, e cila përditë e më shumë po na largon nga KRIJIMI I NJË SHOQËRIE TË VËRTETË DEMOKRATIKE, përbashkuese të shqiptarëve në Trojet e tyre Arbërore, të mbrothësimit të tyre për të mos e parë më theqafjen emigruese si e vetmja mundësi ekzistence, si dhe faktorizuese e shqiptarëve në këto hapësira gjeografike dikur të emërtuara “Illiricum Peninsula”.

NUK na respekton askush me servilizmat e ksenomanitë tona politike, POR vetëm e vetëm nëse tregohemi partnerë dinjitozë në aspektet politiko-socio-ekonomike, dhe nëse i mundësojmë vetes jetësimin e një shoqërie të vërtetë demokratike, pa diferenca të thukta sociale, me nivel të lartë sigurie të jetës, arsimim e edukim cilësor, dhënie më cilësore të kujdesit shëndetsor, si dhe me një drejtësi funksionale e të barabartë për të gjithë”.