Topi i përdorur për golin famëkeq të Diego Maradonas, i mbiquajtur “Dora e Zotit”, do t’i sjellë deri në 3 milionë sterlina të ardhura arbitrit që e ka pranuar ta nxjerrë në ankand.

Maradona shënoi ndoshta golin më të diskutueshëm në historinë e futbollit në Kupën e Botës 1986 kundër Anglisë, kur dërgoi topin në rrjetë me dorë.

Arbitri Ali Bin Nasser, i cili u takua me të ndjerin Maradona vite më vonë, dhe arbitri anësor nuk e panë prekjen e dukshme me dorë që e ndihmoi Argjentinën të mposhtte Tre Luanët 2-1 dhe të kalonte në gjysmëfinale përpara se të fitonte Kupën e Botës.

Sipas Daily Mail, gjyqtari tunizian do ta shesë topin në ankand më 16 nëntor me oferta që priten të jenë rreth 2.5-3 milionë sterlina.

Ai pretendon se dëshiron të ndajë këtë “pjesë të madhe të historisë së futbollit ndërkombëtar” dhe këmbëngul edhe sot e kësaj dite se nuk e ka parë prekjen me dorë të Maradona-s.

Bin Nasser tha: “Ky top është pjesë e historisë ndërkombëtare të futbollit – ndihet si koha e duhur për ta ndarë atë me botën. Në Meksikë ’86 unë isha mesin 42 arbitrave të turneut.

“Arbitrat afrikanë nuk patën të njëjtat mundësi si ata europianë, kështu që kur m’u tha nga FIFA se unë u zgjodha sepse isha ndër më të mirët në botë ishte një nder i madh dhe një kulm i karrierës.

“Sa i përket golit të parë të Maradona-s, unë nuk e pashë qartë incidentin, dy lojtarët Shilton dhe Maradona ishin përballë meje nga pas.

“Sipas udhëzimeve të FIFA-s të lëshuara përpara turneut, unë kërkova nga arbitri anësor për konfirmimin e vlefshmërisë së golit – ai u kthye në vijën e gjysmës së fushës duke treguar se goli duhet të qëndronte.

“Në fund të ndeshjes, trajneri i Anglisë, Bobby Robson, më tha: ‘Ti bëre një punë të mirë, por anësori ishte i papërgjegjshëm”.

Ai gol shkaktoi një zemërim të madh mes tifozëve anglezë, si dhe mes lojtarëve, me Terry Butcher dhe Shilton, të cilët janë ende të zemëruar edhe sot e kësaj dite.