Prej të dielës së 18 shtatorit ka nisur zyrtarisht edicioni i 23-të i festivalit të Këngës Magjike.

Moderatori i njohur shqiptar, Ardit Gjebrea ka treguar se ky festival do të ketë disa ndryshime përgjatë këtij edicioni, duke filluar nga netët që mbahet ky festival, nga tre në katër netë.

Në një postim në Instastory, Arditi zbulon se për herë të parë do të aplikohet teknologjia më e re televizive europiane, si edhe artistët e huaj që do të marrin pjesë pritet të jenë të një niveli që nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri.

Gjithashtu, Ardit Gjebrea tregoi se veç Natës Finale Tradicionale Shqiptare, në këtë edicion do të ketë edhe një natë ‘Grand International Kënga Magjike’.

Më poshtë edhe statusi i plotë i Ardit Gjebrea-s postuar në Instagramin e tij personal:

“Jam shumë i lumtur dhe njëkohësisht krenar për fillimin e edicionit të 23-të të Këngës Magjike. Ky edicion do të jetë padyshim më i miri në historinë e festivaleve në Shqipëri, pasi për herë të parë aplikohet teknologjia më e re televizive evropiane në paraqitjen e tij.

Për herë të parë artistët e huaj janë të një niveli që nuk ka ndodhur më parë në një garë në vendin tonë. Për herë të parë Kënga Magjike do të zhvillohet në 4 netë, ku nata e tretë do të jetë Nata Finale Tradicionale Shqiptare dhe nata e katërt do të jetë Grand International Kënga Magjike.

Ky edicion do të ketë shumë “për herë të parë” ndaj dhe uroj të jetë një bekim për çdo artist pjesëmarrës dhe kënaqësi për të gjithë ju që do e ndiqni!”, shkruan ai.