Chelsea ka arritur një marrëveshje 12 milionë sterlina me Barcelona-n për sulmuesin Pierre-Emerick Aubameyang, me Marcos Alonso që do të transferohet në Camp Nou.
Londinezët janë në kërkim të dëshpëruar për një sulmues pas largimeve të Romelu Lukaku-t dhe Tomo Werner-it dhe tani duket se do ta kenë më në fund lojtarin e tyre.
Armando Broja është i vetmi qendërsulmues në dispozicion të Thomas Tuchel, i cili preferon të aktivizojë si titullar në atë pozicion Kai Havertz.
Sipas Fabrizio Romano-s, Chelsea ka arritur një marrëveshje me Barcelona-n për të marrë për 12 milionë sterlina Aubameyang, i cili ka punuar më parë me Tuchel te Borussia Dortmund. Alonso do të ndjekë rrugën e kundërt dhe do të kthehet në atdhe.
Londinezët do t’i ofrojnë ish-sulmuesit të Arsenal-it një kontratë dyvjeçare me një opsion për vitin e tretë. Por zgjatja e marrëveshjes varet nga paraqitja e lojtarit gjatë vitit të dytë të kontratës.
The Athletic ka bërë të ditur se 33-vjeçari Aubameyang është autorizuar që të udhëtojë drejt Anglisë me një avion privat dhe pritet të zbarkojë në Londër pasditen e sotme.
Të gjitha palët kanë besim se operacioni do të realizohet para mbylljes së merkatos mbrëmjen e ditës së sotme.
Një transferim në Londër mund të jetë i përshtatshëm për familjen Aubameyang pas sulmit të pësuar në shtëpinë e tyre në Barcelonë gjatë fundjavës së kaluar.
Sulmuesi është goditur në fytyrë me një hekur dhe ka pësuar një thyerje të nofullës kur po mundohej të mbronte gruan dhe dy fëmijët e tij nga hajdutët. Ai pritet të mungojë për disa javë dhe ka shumë mundësi që t’i nënshtrohet një operacioni.