Piktori i madh shqiptar, i cili ka marrë edhe titullin e madh “Nderi i Kombit”, Sali Shijaku është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Lajmin e hidhur e ka dhënë djali i tij, Orgesi, përmes një njoftimi në Facebook. Ai shkruan se i ati ia kushtoi të gjithë jetën Artit dhe Shqipërisë.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë për humbjen nga kjo jetë të babait tonë, Piktorit të Popullit, Nderit të Kombit shqiptar, Sali Shijaku. I lehtë të qoftë dheu. I kushtove të gjithë jetën Artit dhe Shqipërisë”- shkruan i biri në Facebook.

Sali Shijaku ishte një nga piktorët më të rëndësishëm gjatë viteve 1965-1980 në Shqipëri, teksa i ka lënë artit shqiptar me dhjetëra e qindra vepra që janë sot pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Shijaku është vlerësuar dhe nderuar me disa çmime, si “Artist i Merituar”, “Piktor i Popullit”,  “Nderi i Qarkut të Tiranës” dhe “Nderi i Kombit”.