“Me gjithë respektin e botës, Atalanta është një ekip i mrekullueshëm, që luan futboll shumë sulmues, por në kohën tonë, klubet italiane që takuam ishin të kalibrit të ndryshëm”. Kështu thotë për gazetën spanjolle “AS” ish-kapiteni i “Los Blancos”, Fernando Hierro, teksa komenton duelin e dyfishtë të Ligës së Kampionëve, që do të vërë përballë ekipin e Zidane dhe atë të Gasperini (në Bergamo më 24 shkurt, kthimi në Madrid më 16 mars).

“Nëse mendoj për Juven, Interin, Milanin, është diçka tjetër, – vazhdon Hierro. – Italianët, në atë kohë, ishin sunduesit e Europës. Ato gjithmonë janë dalluar për fuqinë e tyre fizike dhe taktike. Ishin dy koncepte, që funksionuan shumë mirë. Pastaj, në dekadën e parë të viteve 2000 ne i mposhtëm ato. Kjo është arsyeja pse real Madridi tani duhet të ketë besim në mundësitë e veta, sepse Atalanta nuk është kundërshtari që duhet t’i frikësohesh”.

Hierro ka kujtime të hidhura kundër ekipeve italiane, ndaj të cilave ka luajtur 15 herë në karrierën e tij: dy ndeshje për t’u harruar kundër Milanit, gëzime dhe hidhërime kundër Juventusit, me të cilin u takua pesë herë, dy ndeshje kundër Torinos dhe Lazios, një kundër Interit dhe tri ndaj Romës:

“Ata ishin shumë të organizuar taktikisht. Kujtesa e parë është Milani i Sacchi. Unë nuk isha atje, por shokët e mi të skuadrës më thanë për atë 5-0. Hera e fundit ishte kundër Juves, më 2003. Një ekip i jashtëzakonshëm, ne humbëm 3-1. Figo humbi një penallti, Ronaldo u dëmtua dhe goli i Zidane nuk na mjaftoi. Do të doja ta përshëndesja Europën dhe Ligën e Kampionëve duke fituar”.