“Ndihesha vërtet i humbur dhe isha plotësisht i varur nga kokaina”. Bradley Cooper, 47 vjeç, rrëfeu momentet e errëta të së kaluarës së tij në podcast-in “Smartless” të organizuar nga Will Arnett, Jason Bateman dhe Sean Hayes.

Aktori foli për betejën e tij kundër demonëve të tij dhe problemet e abuzimit kimik. “Ishin fillimi i viteve 2000 dhe sapo isha pushuar nga seriali thriller ‘Alias’, nuk më kishin konfirmuar për sezonin e dytë…”, kujton ylli i Hollivudit, i cili aktualisht është duke punuar në xhirimet e filmit që drejtohet, prodhohet, është shkruar dhe interpretuar nga ai, “Maestro”.

Cooper falënderoi Will Arnett që e ndihmoi të dilte nga tuneli në të cilin ra dhe tregoi sesi në vitin 2004, aktori dhe miku i tij ishin ndalur në shtëpinë e tij duke vënë në dukje se megjithëse ishte vonë pasdite, ai nuk i kishte nxjerrë qentë akoma:

“Ajo ishte hera e parë që kuptova se kisha një problem me drogën dhe alkoolin. Arnett më ndihmoi ta kuptoja…”, tha ylli i “A Star is born”: “Ka qenë Will që më ka vënë përballë realitetit, nuk do ta harroj kurrë. .. Ai më ndryshoi gjithë jetën”.

Aktori më pas tregoi sesi iu desh pak kohë për të kuptuar se ai nuk ishte “me të vërtetë vetvetja”: “Vetëvlerësimi im ishte në zero. Ndërsa isha në Los Angeles për të xhiruar ‘Alias’ u ndjeva sikur isha kthyer në shkollë të mesme.

“Isha plotësisht në depresion dhe vazhdoi kështu për një kohë të gjatë … Para se të kuptoja se isha në rrugën e gabuar. Kam pasur avantazhin se kjo ka ndodhur kur isha 29 vjeç”, shtoi ai.

Që nga ajo kohë, Cooper ka fituar një Oscar për aktrimin e tij dhe ka marrë lëvdata për punën e tij si regjisor në filmin e tij debutues, “A Star Is Born”.

Pika e kthesës erdhi gati 10 vjet më vonë me “Hangover”, që për Cooper ishte fillimi i famës dhe maturisë. Aktori kishte folur tashmë për problemet e tij të varësisë në vitin 2013 në një intervistë të gjatë për GQ në të cilën ai tha:

“Unë nuk pi më dhe nuk marr drogë. Kthjelltësia është një gjë e shkëlqyer… Në një moment kuptova se duke vazhduar në atë rrugë do të shkatërroja jetën time”.