Arsenal-i po përjeton një sezon të çuditshëm.

Pas fitoreve të merituara të marra në fundin e sezonit të kaluar, Topçinjtë e kanë nisur shumë keq sezonin e ri të Premier League. Simboli i krizës është Pierre Emerick Aubameyang, i cili nuk shënon prej shumë kohësh dhe vjen nga disa paraqitje zhgënjyese.

Sulmuesi i Gabon ka pranuar problemet në një intervistë të dhënë për Sky Sport.

“Kam patur shumë vështirësi nga fillimi i sezonit. Ulje dhe ngritje, por kjo është pjesë e futbollit. Kemi dhënë shumë në sezonin e kaluar për të fituar FA Cup dhe për t’u kualifikuar në Europë. Disa momente duhen menaxhuar, edhe ato më të vështirët”, ka thënë Aubameyang.

“Deri tani nuk kam bërë ndeshjet e mia më të mira, por mendoj se mund ta ndryshoj këtë situatë. Dua të jem pozitiv edhe pse shpesh nuk është e lehtë. Kur paraqitjet e tua nuk janë të mira dhe duhet të jesh lider edhe për shokët e skuadrës. Mendoj se është shumë e vështirë të menaxhohen këto gjëra”.

“Kërkoj gjithmonë të jap maksimumin për ekipin, në fushë dhe jashtë saj. Disa herë nuk je në humorin e duhur për ta bërë, por kërkoj të gjej mënyrën për t’i dhënë sinjale pozitive grupit. Për momentin jemi kthyer të luajmë mirë. Nëse fitojmë ndeshjet e ardhshme, mund ta përmbysim këtë moment”.