Situata me pandeminë Covid-19 është ende kaotike në shumë vende të botës, kryesisht në Indi e Afrikë. Qeveria australiane ka vendosur të mos lejojë askënd që udhëton apo vjen nga India deri më datën 15 maj, duke mbyllur kufijtë me këtë shtet.

Nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull as qytetarët australianë që aktualisht ndodhen në Indi për biznes apo për pushime. Ata nuk mund të rikthehen në vendlindje deri më datën 15 maj edhe sikur të përdorin udhëtime tranzit.

Kryeministri australian, Scott Morrison, u shpreh se për qytetarët australianë do të vihen në dispozicion 3 avionë charter duke nisur nga data 20 maj. Më pas, ata do të qëndrojnë 15 ditë në karantinë dhe do të kryejnë testet anti-Covid.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën me dije se Afrika rrezikon të përballet me një valë të re të pandemisë për shkak të vonesës së shpërndarjes së vaksinave. Frika është se variantet e reja të koronavirus mund të përhapen shpejt, ndaj ka kërkuar që Afrika të përfitojë më shumë vaksina anti-Covid.