Dita e nënës ka qenë pak më e veçantë kësaj here për një spital të zonës së Kansas City. Pothuajse një duzinë infermieresh presin të lindin vetë. Ka një “boom” bebesh në spitalin “Liberty”. 11 gra të stafit në qendrën e lindjes janë shtatzëna.

Foshnjat e porsalindura në këtë spital janë një tjetër bekim i përditshëm, por 11 bebet në barkun e infermiereve është një mrekulli absolute. “Ne po dëgjonim ngadalë për shtatzëninë e njërës prej kolegeve, pastaj një tjetër, një tjetër e kështu me radhë, – tha Christen Burns. – Dhe më pas rezultuan të gjitha”.

Dhjetë infermiere dhe një mjeke presin të gjitha të lindin midis majit dhe nëntorit të këtij viti. “Ato gjithmonë i bëjnë gjërat në grup, por ne kurrë nuk kemi pasur 10 infermiere shtatzëna në të njëjtën kohë, – tha drejtoresha e qendrës së lindjes, Nicki Kolling. – Pra, ishte argëtuese”.

Kolling tha se stafi kësisoji do të jetë i ngarkuar, por do të funksionojë. Alex Atcheson dhe Alison Harrell janë në krye të listës, të dyja 37 javëshe shtazënë. “Është padyshim mbështetëse dhe thjesht e mrekullueshme të kemi këtë lidhje me njëra-tjetrën”, – tha Atcheson.

Të dyja janë shtatzënë me fëmijën e tretë. Vajza e parë e Atcheson është vendosur si portret në spital. “Kjo është vajza ime Charlie, – tha Atcheson. – Ajo tani është 5 vjeçe”. Burns është për herë të parë shtatzënë, 14 javëshe. “U martova në janar dhe një muaj më vonë mësova se isha shtatzënë”, – nënvizon ajo.

Burns është mirënjohëse për lidhjen e ngushtë mes kolegeve. Ajo është në gjendje të bëjë pyetje dhe të marrë përgjigje të sinqerta: “Kjo më ka ndihmuar shumë në shtatzëninë time, ndihem shumë më rehat”.