Drejtuesit e Bankës Botërore, kanë deklaruar se rritja e çmimeve të produkteve bazë do të ndihet deri në vitin 2024. Kjo për shkak të luftës në Ukrainë, e cila ka paralizuar mjaft sektorë jetikë, kryesisht të karburanteve, gazit dhe drithit.

Banka Botërore shtoi se kjo do të jetë kriza më e madhe e rritjes së çmimeve që ka prekur botën që nga viti 1970. Madje situata mund të përkeqësohet edhe më shumë në gjysmën e dytë të këtij vitit dhe atë pasardhës nëse situata nuk ndryshon.

Sipas Bankës Botërore, pritet që së shpejti të ketë rritje të çmimeve të energjisë deri në 50%, çka do të ndikojë direkt në xhepat e qytetarëve. Rritje të mëtejshme do të ketë edhe në karburante, gaz dhe drithëra. Rusia e Ukraina janë vende që eksportojnë sasi të mëdha të gazit e drithërave, gati 1/3 e eksporteve globale.

Edhe Shqipëria po e ndjen shumë këtë krizë, pasi rritja e çmimeve në të gjitha produktet bazë është bërë e ndjeshme prej më shumë se një muaji. Qeveria po planifikon rritje të çmimit të energjisë për ata që konsumojnë më shumë, ndërkohë që çmimet e mjaft produkteve janë rritur ndjeshëm.