Katalansja “Sport” është treguar mjaft e ashpër me skuadrën e Barcelonës: “Edhe një herë, Barça nuk u përshtat në një natë të madhe evropiane. Sidoqoftë, skuadra katalanase mund të kapet të paktën pas paraqitjes së jashtëzakonshme të Ter Stegen, i cili ndaloi gjithçka të pandalshme dhe e mbajti ekipin në buzë të humnerës, edhe kur nuk kishte më asnjë shpresë.

Pa pritjet antologjike të Ter Stegen, rezultati i ndeshjes së mbrëmshme ndaj Interit mund të ishte lehtësisht 3-7, fakt që shpjegon më mirë se çdo tjetër “anijembytjen” e mbrojtjes Blaugrana, veçanërisht të Gerard Pique. Tani për tani, Barça, ashtu si Real Madridi në ditët e mira të vjetra, është pak më shumë se një ‘9’ (Lewandowski) dhe një ‘1’ (Ter Stegen).

Situata – Ka mbetur vetëm një biletë në Grupin D për t’u prerë për në 1/16 finale të Ligës së Kampionëve. Barcelona nuk varet më nga vetja për ta arritur këtë. Pas barazimit (3-3) në “Camp Nou”, Interi ka shumë mundësi për t’u kualifikuar në raundin tjetër të turneut më të madh të klubeve në Evropë.

Natyrisht, Barça është e detyruar t’i fitojë dy ndeshjet e mbetura, por njëherazi ka nevojë që italianët të mos fitojnë asnjë nga dy ndeshjet përmbyllëse të grupit. Për të gjitha këto arsye, do të duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh në “San Siro” më 26 tetor.

Skuadra e Xavi do të presë Bayern Munich në “Camp Nou” të mërkurën e ardhshme, më 26 tetor. Dueli do të luhet në orën 21:00, por fitorja e Barçës nuk do të jetë e dobishme nëse Interi bën detyrat e shtëpisë ndaj Viktoria Plzen.

Skuadra italiane do të përballet me Viktoria Plzen në shtëpi, të mërkurën e datës 26 tetor, prej orës 18:45. Nëse zikaltrit marrin tri pikët, Barça do të jetë automatikisht një ekip i “Europa League”, para se të luajë kundër ekipit gjerman.