Barcelona ka mundur 3-0 Sevilla-n në transfertë në javën e katërt të kampionatit dhe të tretën radhazi në La Liga.
Sfida e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Sanchez Pizjuan është zhbllokuar në minutën e 21-të nga një gol i brazilianit Raphinha.
VIDEO – GOLI I RAPHINHA – VIDEO
Pesëmbëdhjetë minuta më pas ka ardhur edhe dyfishimi i avantazhit për katalanasit me Robert Lewandowski-t. Polaku, i lënë vetëm në zonën e rreptësisë, ka realizuar me një kthesë të bukur pas ndalimit të topit me gjoks.
Sulmuesi polak ka shënuar 5 gola në 4 ndeshje të luajtura në La Liga, duke u bërë vetëm lojtari i tretë që shënon pesë ose më shumë gola në 4 ndeshjet e para të luajtura në kompeticion në shekullin e 21-të pas Cristiano Ronaldo-s në 2009-ën (5) dhe Radamel Falcao-s në 2011-ën (5).
VIDEO – GOLI I LEWANDOWSKI – VIDEO
Goli i tretë dhe i fundit i ndeshjes ka ardhur në minutën e 50-të dhe është realizuar nga qendërmbrojtësi Eric Garcia. Protagonist edhe ish-lojtari i Sevilla-s, Kounde, auto i dy asisteve.
Kjo fitore e ka ndihmuar skuadrën e Xavit të ngjitet në vendin e dytë të renditjes me 10 pikë, vetëm dy larg rivalëve të përjetshëm të Real Madrid.