Franco Baresi, ish-mbrojtësi i Milanit dhe zëvendëspresident nderi i kuqezinjve, pranoi për “Gazzetta dello Sport”: “Milani është më i fortë me De Ketelaere. Ai ka cilësi të shkëlqyera, por duhet t’i jepni kohë për t’u përshtatur.

Kalulu është një siguri dhe shpresoj që Leao të qëndrojë këtu për një kohë të gjatë. Duhet të kemi besim në lojën tone, kështu fituam titullin. Dhe ne mund të jemi ende protagonistë.

Pioli? Ai mbërriti me përulësi dhe e udhëhoqi Milanin drejt majës, çka askush nuk do ta mendonte. “San Siro”? Ishte shtëpia ime për 20 vite dhe do të jetë gjithmonë një kujtim i paharrueshëm, por sot futbolli ka nevojë për këndvështrime të tjera. Të kemi një stadium të ri do të ishte fantastike”.

Franco Baresi analizoi edhe verdiktin e shortit të grupeve të Ligës së Kampionëve për kuqezinjtë: “Kur dëgjon melodinë e Ligës së Kampionëve është gjithmonë emocionuese… Ne patëm një vit të shkëlqyer dhe Milani duhet të prezantohet mjaft mirë, i vetëdijshëm për forcën e tij, duke i përballur të gjithë rivalët me shpirt dhe vendosmëri të madhe.

Ne mund të bëjmë mirë. Duhet të jemi ambiciozë; sezonin e kaluar lamë një përshtypje të mirë, duke pasur parasysh ndërgjegjësimin. Këtë edicion duhet ta tregojmë veten edhe në nivel ndërkombëtar. Milani është gjithmonë i respektuar në Evropë”.