Robert Aliaj është një nga personazhet shqiptarë që njihet për stilin e tij të veçantë, e për të cilin vijon të komentohet gjatë.

Prej shumë vitesh, artistin e kemi parë në ekran me një stil ndryshe nga ai i “burrave shqiptarë”, tepër modern, me thonj të lyer e me funde e fustane të veshura, i cilësuar ndryshe edhe si “artisti shqiptar kontrovers”.

E pikërisht, për të folur lidhur me trendin më të fundit të meshkujve të famshëm, të cilët janë shfaqur në publik të veshur me fustane ose funde, Robert Aliaj ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up” në Top Channel.

Teksa fliste mbi këtë temë, artisti tha se ka 12 vite që vesh funde e fustane në Tiranë, ndërsa thekson se paragjykimet e njerëzve e motivojnë më tepër.

Unë kam të paktën 12 vite që vesh fund në Shqipëri. Unë kam dalë në rrugë, kam veshur edhe fustan bile dhe që e kam pasur si aksesor të përditshmërisë time. Dhe në Tiranë nuk ka qenë ndonjë çudi e madhe, u bë e zakonshme që të më shikoje ashtu. Sigurisht, paragjykimet mua nuk më bëjnë përshtypje fare, bile më motivojnë sepse më shkëpusin nga e përgjithshmja dhe llumi sepse kështu e shoh unë. Për njerëzit pa stil nuk kam respekt”– teksa vijoi edhe më tej në mbrojtje të idesë së tij, duke thënë se burrë nuk të bën veshja apo organet gjenitale, por besa e fisnikëria.

Veshja është një deklaratë e asaj që je ti. Ne jemi shoqëri shumë konservatore dhe na bëjnë përshtypje këto gjëra dhe paragjykojmë shumë. Paragjykimi është tmerrësisht gjë e rrezikshme. Nuk të bën burrë veshja, nuk të bën burrë fakti që s’mban fustan, as të bën burrë fakti që ke allate, burrë të bën besa, të bën fisnikëria që ti transmeton”– tha në emisionin e përditshëm të mëngjesit, në Top Channel, Robert Aliaj.