Këngëtari i njohur shqiptar, Sabian Mejdini ka qenë pa diskutim një nga personazhet më të përfolur të vitit 2022. Me pjesëmarrjen e tij në reality-shoë-n e njohur, Big Brother Albania VIP, ai fitoi edhe më shumë simpatinë e publikut të tij, si edhe më shumë fansa. Sabianin e kemi parë të jetë aktiv në televizion, në disa dalje publike, teksa së fundmi ishte i ftuar në emisionin ‘S’e luan topi’ në Top Channel.

Ai rrëfeu shumë detaje të pathëna më parë nga jeta e tij personale, duke nisur nga momentet e vështira e deri te karriera e tij. I prekur, Sabiani tregoi se ky është emri i tij i artit, që e ka vendosur në respekt të mamasë së tij, e cila ka ndërruar jetë pak para se ai të bëhej i famshëm dhe të nxirrte videoklipin e tij të parë. Mamaja e tij ndërroi jetë më 8 mars dhe e ka pasur emrin ‘Shabane’ dhe për këtë arsye, Sabiani thuri emrin që mban sot e që ka funksionuar.

“Kur fillova të kuptoja dhe të nxirrja videoklipin tim të parë, nëna ime ndërroi jetë, ka vdekur ditën e tetë marsit. Dhe unë si vizionar që doja të dilja ndryshe, nëna ime quhet Shabane si do ta bëja dhe thura një emër që funksionoi shumë bukur, që më ka shoqëruar deri tani. Nga Shabane në Sabian. Kjo është një mënyrë që ta kisha pranë vetes gjatë gjithë kohës”, tha këngëtari për emisionin ‘S’e luan topi’ në Top Channel, me Erjona Rusin.

Më tej, këngëtari shqiptar rrëfeu se emri i tij i vërtetë ka qenë Lorenc. Ai tregon se që prej asaj dite çdo gjë ka shkuar siç duhet dhe se ka krijuar një karrierë të suksesshme e të bukur.