Një ish-mjek me profesion, i cili është bërë baba i një djali në moshën 83-vjeçare, thotë se jeton çdo ditë duke e ditur se nuk do të arrijë ta shohë djalin e tij të rritet. Alberto Cormillot nënvizon se bën gjithçka që mundet tani për t’i lënë fëmijës sa më shumë kujtime të jetë e mundur.

Gruaja e tij, Estefania Pasquini, 35 vjeçe, mbeti shtatzënë me fëmijën pas trajtimit të fertilitetit. Pavarësisht moshës, ajo thotë se Cormillot është i përfshirë në mënyrë aktive në rritjen e djalit, Emilio.

Vetë ai pohoi: “Unë jam i vetëdijshëm se jeta nuk është e pafundme. Djali i vogël është këtu dhe unë do ta shoqëroj deri në një moment të caktuar. Derisa të ndodhë kjo (ndarja e tij nga jeta), unë planifikoj të shijoj çdo ditë në maksimum dhe të bëj plane që janë më afatshkurtra. Kjo do të thotë se e shijoj çdo ditë, sa më shumë që të mundem”.

Duke menduar për të ardhmen, Cormillot vazhdimisht lë mesazhe audio që djali i tij t’i zbulojë në të ardhmen: “Kjo do të thotë se, edhe pse është ende me të vërtetë një fëmijë, ai ka një numër telefoni me WhatsApp në të cilin regjistroj audio dhe i dërgoj video. Unë nuk i mbidramatizoj gjërat, thjesht regjistroj realitetin e jetës”.

Cormillot, i cili jeton në Argjentinë, u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë në vitin 2012, por të gjitha gjurmët e tumorit iu hoqën me operacion. Çifti ka treguar sesi kanë punësuar një mësues privat të gjuhës kineze për djalin e tyre, tashmë 9 muajsh.

Ata filluan ta planifikojnë të ardhmen e fëmijës sapo e kuptuan se foshnja ishte rrugës… Cormillot tha se donte që djali i tij të mësonte kinezisht, sepse është “gjuha e së ardhmes”. Ai shtoi se vazhdimisht mendon se si mund ta përgatisë më së miri djalin për të ardhmen, derisa është ende pranë tij: “Unë po e inkurajoj atë të zvarritet (të ecë këmbadorazi), për shembull”.

Cormillot nënvizoi më tej se i pëlqen t’i mësojë djalit këngë që tani fëmijë, duke menduar gjithmonë se si ta shfrytëzojnë sa më shumë kohën së bashku, me 83 vitet që ka mbi supe, të cilat i shtojnë makthin e largimit nga kjo botë dhe mos pasja mundësi ta shohë trashëgimtarin teksa rritet e bëhet burrë.