Siç ka qenë traditë prej 17 sezonesh, lojtarët e ekipit të parë të Real Madridit kanë marrë makinat e tyre të reja nga “Audi”, sponsori zyrtar i klubit të bardhë, të cilin do ta shijojnë edhe këtë vit. Si zakonisht, shumica dërrmuese e lojtarëve kanë zgjedhur shkathtësinë e SUV. Më modesti në kërkesën e tij ka qenë Karim Benzema, i cili ka preferuar një Q5 4.0 TDi, me 204 kuaj fuqi (vlerësohet pak më shumë se 50.000 euro). Shumica e “Los Blancos” kanë preferuar të bëjnë kërcimin te Q7 ose Q8 (të dyja, mbi 80.000 euro).

Edhe pse të gjitha makinat që futbollistët e bardhë do të drejtojnë kanë një farë elektrizimi, ata që kanë shkuar 100 për qind te qasja elektrike kanë qenë Raphael Varane dhe Vinicius. Makina më e shtrenjtë, një Audi RS Q8, me 600 kuaj fuqi, që kushton 160.000 euro, shkon në garazhin e Fede Valverde. Ky futbollist ka qenë një nga katër anëtarët e skuadrës, që ka zgjedhur gamën sportive, së bashku me Casemiro (RS 7 Sportback, gjithashtu me 600 kf), Ramos dhe Zidane (të dy me RS 6 Avant, me fuqi të ngjashme).