Pasiguria vazhdon të mbretërojë në Santiago Bernabeu kur bëhet fjalë për të ardhmen e Ramos. Pavarësisht se është kapiten i klubit dhe prej 15 vitesh në kryeqytetin spanjoll, qendërmbrojtësit të njohur nuk i është ofruar ende zgjatje e kontratës, që skadon në verë. Kjo mungesë lëvizje po tërheq interes nga larg, me skuadrat kryesore nga Anglia dhe Franca që mbajnë nën vëzhgim zhvillimet në Madrid.

Manchester United ka qenë i lidhur me Ramos në të kaluarën dhe mund të joshet për ta eksploruar këtë opsion përsëri, pavarësisht se spanjolli tani është 34 vjeç. Berbatov beson se Ole Gunnar Solskjaer duhet të mendojë për një lojtar si ai, i cili është i lirë të flasë me ekipe jashtë La Liga-s. Sipas ish-sulmuesit të “Djajve të Kuq”, me përvojën e madhe që ka, Ramos është një yll për prapavijën në “Old Trafford”.

Bullgari tha: “Kam lexuar mediat në lidhje me Sergio Ramos, ka shumë spekulime për të ardhmen e tij. Ai mund të sillte shumë përvojë dhe “çelik” në mbrojtjen e çdo skuadre. Edhe pse është 34 vjeç, mbetet ende një lojtar i mirë. Te Manchester United mund të bëjë shumë mirë. Nëse është në dispozicion, mund të shoh shumë ekipe të interesuara për të nënshkruar. Në moshën e tij, natyrisht Real Madridi heziton t’i ofrojë kontratë të gjatë. Ndoshta po debatojnë për paratë, sepse gjithnjë flitet për ato, por të dyja palët duhet të mendojnë gjatë për këtë.

Unë nuk kam asnjë dyshim se lojtarët do të dëshironin të bashkoheshin me Manchester United, por janari është një kohë e vështirë për të lëvizur. Nemanja Vidic, Patrice Evra dhe Bruno Fernandes e bënë këtë, rezultuan nënshkrime të shkëlqyera, por e njëjta gjë nuk ishte e vërtetë për të tjerët, që u bashkuan në këtë periudhë të vitit.

Unë gjithmonë kam thënë që Manchester United ka nevojë për një mbrojtës tjetër, por duke parë shfaqjet e fundit të Eric Bailly, nëse mbetet i përqendruar dhe pa lëndime, mund të jetë një shkëmb në pjesën e prapme të skuadrës. Nëse klubi do të blejë dikë, veçanërisht në këtë moment të sezonit, duhet të jetë një përshtatje perfekte për ekipin. Unë nuk mendoj se ata kanë nevojë për askënd në këtë moment”.