Serie A tashmë është gjallëruar, në javën e pestë luhet Derbi i Madoninës, që do të shohë Milanin dhe Interin përballë, ose dy skuadrat që luftuan për titullin sezonin e kaluar dhe ndër favoritët e mëdhenj për fitoren e trofeut madhor këtë edicion.

Zikaltrit, pas fitores në shtëpi ndaj Cremonese parakaluan Milanin në renditje. Kampionët u ndalën në barazim nga Sassuolo, teksa kanë 8 pikë përkundrejt 9 të grumbulluara nga Interi deri më tani.

Munguesat e mëdha të ndeshjes që starton sot në orën 18:00 janë Zlatan Ibrahimovic nga njëra anë dhe Romelu Lukaku nga ana tjetër, të dy jashtë për shkak të dëmtimit. Ata ishin protagonistë absolut të derbit të dy sezoneve më pare, kur u kacafytën kokë më kokë si “gjela”.

Vitin e kaluar, megjithatë, dy skuadrat u përballën katër herë mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, me një bilanc në barazi të përsosur: një fitore për secilën palë dhe dy barazime.

Pas pak muajsh, Milani dhe Interi do të luajnë edhe Superkupën e Italisë, duke qenë se sezonin e kaluar kuqezinjtë u shpallën kampionë të Italisë, ndërsa zikaltrit fituan Kupën e Italisë.

Zgjedhje thuajse të detyrueshme në sulm për Piolin, që duhet të preferojë Messias ndaj Saelemaekers dhe De Ketelaere ndaj Brahim Diaz. I vetmi sulmues i deklaruar do të jetë Giroud. Në mesfushë rikthehet Tonali nga minuta e parë pranë Bennacer. Calabria është rikthyer në mbrojtje, në të djathtë, dhe Kalulu në mes me Tomori.

Simone Inzaghi ka gati formacionin më të mirë të mundshëm, përfshirë Bastonin, të rikuperuar pas etheve të ditëve të fundit. Lautaro Martinez në sulm përkrah Dzekos (i preferuar ndaj Correa), konfirmime në mesfushë, ku Darmian duhet të fitojë balotazhin me Dimarco dhe Gosens.

Ja formacionet e mundshme:
MILAN (4-2-3-1): Maignan; Calabria, Tomori, Kalulu, Theo Hernandez; Tonali, Bennacer; Messias, De Ketelaere, Leao; Giroud.
INTER (3-5-2): Handanovic; Skriniar, De Vrij, Bastoni; Dumfries, Barella, Brozovic, Calhanoglu, Darmian; Lautaro Martinez, Dzeko.