Presidenti Biden e ka shkurtuar me gati dy javë afatin kur çdo i rritur në SHBA do të kualifikohet për vaksinim kundër koronavirusit. “S’do të ketë më rregulla konfuzuese, s’do të ketë më kufizime,” tha presidenti të martën në Shtëpinë e Bardhë duke njoftuar se që nga data 19 prill “çdo 18 vjeç e sipër përmbush kushtet për t’u vaksinuar”.

Njoftimi i presidentit vjen në një kohë kur vendi po përballet me valën e katërt të rritjes së infeksioneve, sidomos në radhët e të rinjve. “Nuk jemi ende te vija e finishit,” tha presidenti. “Ende kemi shumë punë për të bërë. Jemi në garë për jetë a vdekje me virusin”. Presidenti vizitoi të martën një objekt vaksinimesh rreth 12 km nga Shtëpia e Bardhë, ku ai foli për shpejtimin e ritmeve të imunizimit.

“Kur të ktheheni në shtëpi, tregojuni miqve që të vaksinohen sapo ta kenë mundësinë”, u tha zoti Biden atyre që prisnin për t’u vaksinuar në një kishë të vogël të Shkollës Teologjike të Virxhinias. Gjatë javës së fundit, infektimet e reja kanë shënuar 7% rritje krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore. Shtrimet në spitale janë rritur 3%, ndërsa vdekjet nga COVID-19 kanë shënuar rënie të vogël duke arritur në rreth 800 viktima në ditë.

Shtimi i infektimeve shihet si pasojë e uljes së numrit të personave që vënë maskë, shtimi i pjesëmarrjes në aktivitete publike, intensifikimi i udhëtimeve dhe përhapja e varianteve të reja. “Këto variante janë më ngjitëse,” tha presidenti. “Ato janë më të rrezikshme, por vaksinat japin efekt”. Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të shëndetësisë po përpiqen t’i mëshojnë mesazhit për vigjilencë, pasi popullata ka shfaqur lodhje nga masat kufizuese pas 13 muaj pandemie.
/ VOA