Vendi i parë në kampionat dhe grupi i Europa League i fituar: kemi ardhur tashmë në gjysmën e sezonit dhe Milan po mban një ritëm që e ka tejkaluar pritshmërinë në fillimin e sezonit.

Për ecurinë e skuadrës së Stefano Pioli-t ka folur, gjatë një interviste për La Gazzetta dello Sport, ish-sulmuesi gjerman i kuqezinjve Oliver Bierhoff.

“Të mëdhatë e Europës kanë vështirësi edhe ne aspektin mendor në këtë sezon të pazakontë, ndërsa Milan më duket se bashkohet para pengesave, duke kaluar momentet më delikate”, ka thënë Bierhoff.

“Ka një mentalitet shumë të mirë në skuadrën kuqezi. Duket nga mënyra si sillen lojtarët në fushë dhe nga shprehjet në fytyrat e tyre. Gjithashtu, ata argëtohen dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

“Milan nuk fiton prej dhjetë vitesh, por tani duket se ka gjetur përsëri një uri që mungonte prej disa kohësh. Grupi funksionon, kryesisht falë euforisë dhe entuziazmit”.

“Pioli e ka bërë ekipin të besojë se asgjë nuk është e pamundur dhe se momenti duhet shfrytëzuar. Milan duhet të vazhdojë në këtë rrugë, pa hequr dorë në asnjë moment”.