Bill Gates ka mbajtur një fjalim të rëndësishëm në konferencën TED2022 të martën, gjatë të cilit ka përmendur fjalimin e 2015-ës me të cilin ka paralajmëruar se një pandemi ishte në horizont dhe se njerëzimi nuk ishte gati për të.

Tani, Gates ka thënë se shpreson se kriza e krijuar nga Covid-19 do ta shtyjë audiencën e tij në konferencën e TED2022 që poz hvillohet në Kanada që t’i kushtojë më shumë vëmendje këshillës së tij se si mund të parandalohet një tjetër pandemi.

“Kur kam qenë në këtë skenë në 2015-ën, unë kam qenë një nga njerëzit e shumtë që kam thënë se nuk ishim gati dhe se duhej të punonim për të qenë gati. Nuk e bëmë”, ka thënë Gates.

“Në fakt, ai fjalim është parë nga shumë njerëz, por 90% e shikimeve kanë ardhur pasi ka qenë tepër vonë”.

Në fjalimin e mbajtur në 2015-ën, Gates ka thënë se bota nuk ishte “gati për epideminë e radhës” dhe se viruset ishin “rreziku më i madh për të shkaktuar një katastrofë globale” në krahasim me rreziqet e tjera të njerëzimit.

Një video në YouTube e deklaratave të bëra nga Gates në 2015-ën ka marrë më shumë se 36 milionë shikime deri tani.

“Nëse diçka do të vrasë mbi 10 milionë njerëz në dekadat e ardhshme, ka më shumë mundësi të jetë një virus infektues se sa një luftë. Jo raketa, por mikrobe”, ka thënë Gates në atë kohë.

Pandemia Covid-19 ka shkaktuar më shumë se 6 milionë vdekje në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi që ka patur numrin më të lartë të viktimave në botë me pothuajse 1 milion.

Më vonë në fjalimin e tij, Gates ka thënë se vendet e pasura duhet të mblidheshin dhe të krijonin një sistem që të parandalojë pandeminë e radhës teksa tragjedia e Covid-19 është akoma e freskët në memorien tonë. Deri tani, liderët e botës kanë bërë më pak nga sa pritej, sipas tij.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, ne kemi bërë shumë, kemi krijuar Kombet e Bashkuara”, ka thënë Gates. “Deri tani, nismat e ndërmarra kanë qenë më pak nga sa pritej. Do të befasohesha nëse nuk do të vazhdonim përpara me diçka të përafërt të asaj që po sugjeroj unë”.