A mund ta luftojë një bojë ndryshimin e klimës? Një grup inxhinierësh nga Universiteti Purdue në Indiana, Shtetet e Bashkuara, janë të bindur se po falë bojës më të bardhë në botë.

Në vitin 2021, Xiulin Ruan, një profesor i inxhinierisë mekanike në Universitetin Purdue, kishte shpikur bojën më të bardhë në botë, e cila, falë disa modifikimeve, është bërë më e hollë dhe e përsosur për veshjen e aeroplanëve, makinave ose ndërtesave në mënyrë që të ftohë pjesët e jashtme të tyre dhe të reduktojë përdorimin e sistemeve të brendshme të ftohjes që ndotin mjedisin.

Boja ultra e bardhë përbëhet nga nanogrimca të sulfatit të bariumit, të cilat reflektojnë 98.1% të dritës së diellit dhe ftohin sipërfaqet e jashtme me më shumë se 4.5 gradë.

Megjithatë, për të arritur këtë rezultat, ishte e nevojshme të aplikohej një shtresë bojë 400 mikron, e cila është indiferente në rastin e një sipërfaqeje të palëvizshme, siç është çatia e një ndërtese, por kjo peshë mund të jetë e rëndësishme në rastin e elementeve që kërkojnë një peshë specifike dhe për rrjedhojë një shtresë bojë më të lehtë.

Inovacioni i bërë në bojën më të bardhë në botë nga ekipi i profesor Ruan lejon përdorimin e një shtrese bojë 150 mikron që ka të njëjtën aftësi për të reflektuar rrezet e diellit dhe për të ftohur ndërtesat në mënyrë që të kufizojë përdorimin e ajrit të kondicionuar dhe të mbrojë mjedisin.

Përveç kësaj, kjo bojë e hollë ultra e bardhë, shpjegon George Chiu, një profesor i inxhinierisë mekanike në Purdue, “ka potencial për të ftohur pjesët e jashtme të avionëve, makinave ose trenave.

Një aeroplan i ulur në asfalt në një ditë të nxehtë vere nuk duhet të përdorë ajrin e kondicionuar aq shumë për të ftohur pjesën e brendshme, duke kursyer sasi të mëdha energjie”.

Aplikimet e bojës më të bardhë në botë mund të jenë të panumërta dhe mund të shkojnë deri në anijet kozmike.