Aty ishte edhe Leonardo Bonucci me tre fëmijët e tij, në pritje, në Torino për kthimin e bashkëshortes Martina Maccari, e cila përfundoi një rrugëtim të gjatë prej 575 kilometrash që nisi më 1 maj, pas nisjes së projektit bamirës “Në të njëjtën rrugë”.

Udhëtimi i Martinës nisi nga Adriatiku dhe përshkoi gjithsej 26 komuna. Gruaja e mbrojtësit të Juventusit shoqërohej nga mbi 300 persona. Shuma e mbledhur arrin në rreth 170 mijë euro, para që do t’i ndahen Departamentit të Neurokirurgjisë të Spitalit të Fëmijëve “Regina Margherita” në Torino. Kjo shumë do të shkojë veçanërisht për blerjen e një ekzoskopi për operacionin delikat të trurit.

Në të njëjtën strukturë ishte shtruar në spital Matteo Bonucci, djali i dytë i çiftit, i cili në moshën 2-vjeçare kishte pasur një sëmundje të rëndë. Alena Seredova, ish-bashkëshortja e Buffonit, Carolina Bonistalli (gruaja e Chiellinit) dhe Deniz Akalin (partnerja e Andrea Agnellit), po ashtu e mirëpritën gruan e Bonuccit në kryeqytetin e Piemontes.

Donacionet do të vijojnë deri në vjeshtën e ardhshme, kur do të prezantohet edhe një dokumentar me rastin e eventit final. “Është eksperienca më e bukur e jetës sime, plot me gjithçka që një person mund të shpresojë të gjejë në rrugën ku udhëton.

Mbërrij në këtë vend, të cilit i detyrohem kaq shumë dhe jam plot lumturi, – ishin fjalët e Maccarit, dukshëm e prekur pasi përqafoi familjen e saj. – Jam e vetëdijshme se kam ndryshuar diçka. U nisa me shpresën se kjo iniciativë do të më lejonte të realizoja dëshirën për kthim të maturuar ndër vite.

Sot është një dëshirë që realizohet, me një mbledhje fondesh që shkoi përtej pritshmërive dhe një shumë që për mua është rezultat i jetëve të realizuara, historive të dëgjuara, emocioneve të përbashkëta dhe rrugëve të kryqëzuara”.